Për hir të së vërtetë, kjo skuadër ka kohë që nuk është ajo e dikurshmja e Enco Bearxotit, ndryshim që nisi që me Axelio Viçinin e vazhdoi me Arrigo Sakin, por gjithsesi epitenin “bukuroshja” nuk kishte arritur ta meritonte ndonjëherë plotësisht. Duket se po ia del skuadra e kaltër e Roberto Mançinit, që u quajt “Italia e bukur” (bell’Italia), apo “futbolli i bukur” (bell’calcio), krejt ndryshe nga shëmtia e katenaços.
Suksesi ndaj Polonisë në ndeshjen e parafundit të Ligës së Kombeve ishte 2-0, por sidomos ishte mënyra sesi u arrit fitorja që bëri përshtypje në mediat e Apenineve. Zhorzhinjo e Berardi ishin autorët e golave që e nxorrën ekipin e tyre në vendin e parë në grup. Ishte një ndeshje e habitshme ajo e luajtur në Rexho Emilia, pasi edhe pse u dominua nga vendasit, ata mbetën me tension deri 7 minuta para fundit. “Një himn i futbollit”, e cilëson “La Gazeta delo Sport”, që thekson se “vendimtare do të jetë dueli me Bosnjë-Hercegovinën në Sarajevë të mërkurën”. “Ishte diçka e madhe kjo që bëri Italia duke pasur 20 lojtarë të padisponueshëm për shkak të koronavirusit, por edhe dëmtimet, mes të cilëve edhe vetë trajnerin Mançini”, – vazhdon gazeta.
Formacioni i Italisë: Donaruma, Florenci, Bastoni, Açerbi, Emerson, Lokateli, Zhorzhinjo, Barela, Bernardeski, Beloti, Inzinje.
Sfidanti.al