Kush luan mirë dhe në fund humbet? Kush tjetër përveçse Anglia!

Në stadiumin e Brukselit u duk se e kishin ndeshjen në dorë, edhe pse ishin ndaj Belgjikës, skuadrës numër 1 të renditjes botërore të FIFA-s. Futbollistët e Anglisë e qarkulluan topin mirë, pikërisht ashtu siç i mëson trajneri i tyre Garet Sauthgejt, disa herë u dukën të rrezikshëm, ndërsa detyruan kundërshtarin që për periudha të gjata kohe të mos dukej në fushë. Gjithsesi, Anglia u mund 0-2 dhe është shumë pranë eleminimit nga Liga e Kombeve, duke bërë një figurë jo shumë të mirë 7 muaj para finaleve të Europianit. Juri Tilemans në 10’ dhe Dris Mertens në 24’ shënuan golat e shpejtë të belgëve, që treguan se kishin më shumë përvojë, të paktën këtë herë.

Kjo ishte humbja e dytë e Anglisë në dy ndeshjet e fundit, pas asaj 0-1 në Londër me Danimarkën. Me këtë fitore, Belgjika ka 9 pikë ndaj 7 të Danimarkës dhe të Anglisë, ndërsa të mërkurën, në raundin e fundit të ndeshjeve, belgët ndeshen me danezët në Bruksel, dhe anglezët presin Islandën në “Uembli”. Belgjikës i mjafton të mos humbasë ndaj Danimarkës që të dalë në vend të parë në grup dhe të kualifikohet.

Sfidanti.al