Nadal është “mbreti”, titulli i 13-të në Roland Garos pas 3-0 ndaj Gjokoviçit!

Pak rëndësi ka nëse luhet në maj-qershor, apo në shtator-tetor, pasi përfundimi është po ai. “Rolan Garosi” e ka një “mbret” dhe ky e ka emrin Rafael Nadal. Tenisti më i mirë i të gjitha kohëve në sipërfaqen me dheun e ngjeshur triumfoi në mënyrë madhështore në finalen ndaj numrit 1 të botës, Novak Gjokoviç. Rezultati flet vetë, 3-0 me sete, dhe 6-0, 6-2 e 7-5, diçka që tregon se çfarë diference pati spanjolli me një gjigand si Gjokoviçi.

Rafa ma 13 tituj në Paris, një rekord që vështirë të barazohet ndonjëherë, si dhe u barazua me rekordin botëror të Grand Slemeve të Rozher Federerit, tani me nga 20 secili. Gjokoviç ka 17 dhe do të përpiqet t’i mbërrijë duke qenë më i mirë në Australian Open, Uimbëlldon, pse jo edhe në US Open. Gjithsesi, në Francë edhe ai duhet të përkulet përpara “mbretit” Nadal. “Përgëzime Novakut për një tjetër sezon të madh, – theksoi me sportivitet 34-vjeçari spanjoll, – më vjen keq për sot. Ishte e qartë se kjo e sotmja ishte për mua. Kjo është pjesë e sportit. Ne jemi ndeshur shpesh me njëri-tjetrin, një ditë fiton njëri, ditën tjetër fiton tjetri”. Gjokoviç kryeson në bilancin mes tyre me 29 fitore ndaj 27.

Sfidanti.al