Kejni i dëmtuar tek Anglia, Sauthgejti gati sherri me Murinjon!

Sulmuesi kryesor dhe kapiteni është në dyshim për ndeshjen e rëndësishme ndaj Belgjikës në Ligën e Kombeve, kështu që beteja mes kombëtares e klubit do të rindizet. Harri Kejn ka një dëmtim muskulor, në vend të tij mund të luajë Dominik Kalvert-Ljuin i Evertonit, ndërsa trajneri Garet Sauthgejt, përveç halleve të tij duhet të mendojë edhe për konfliktet me klubet. Në këtë rast me trajnerin e Totenhemit, Zhoze Murinjo. Ky i fundit e kishte këshilluar teknikun e Anglisë që ta rezervonte Kejnin, që ka qenë shumë i ngarkuar këtë sezon, por Sauthgejti e kishte hedhur poshtë këtë këshillë. Gjithsesi, duhet parë nëse Kejni do ta marrë veten për të qenë gati për ndeshjen e radhës, atë ndaj Danimarkës, por njeriu i stolit i Anglisë shqetësohet sidomos për ndeshjen e sotme në “Uembli” ndaj një Belgjike që është në vendin e parë të listës botërore të FIFA-s.

Sfidanti.al