Shqipëria ndalet tek shtylla dhe rastet në Kazakistan, cilësia nuk u kthye në fitore!

Nëse rezultati i një ndeshjeje do të vendosej nga rastet e krijuara, do të kishim qenë fitues. Gjithsesi, është goli ai që të jep një sfidë dhe këtë nuk arriti ta shënonte Shqipëria në fushën e Kazakistanit, në duelin e Ligës së Kombeve. Barazim 0-0, arritur pas një loje më të mirë sesa vendasit, por pa saktësinë e duhur në sulm. Gabuam në pasimin e fundit, gabuam edhe në finalizimin para portës, ndërsa kazakët që bënë më pak, mund të ndihen më të kënaqur se ne.

Nëse barazimi jashtë fushe mund të quhet arritje e mirë, ai gjithsesi nuk i shërbeu edhe aq synimit tonë për të dalë në vendin e parë në grup, ku ndodhen edhe Armenia e Bjellorusia. Vendimtare mbetet ndeshja e 14 tetorit, sërish jashtë fushe, këtë herë në Vilnius të Lituanisë. Në stadiumin e kryeqytetit Almati, Kazakistani u përpoq ta ndalonte skuadrën shumë më cilësore shqiptare me mbrojtje të fortë e kundërsulm, ndërsa kombëtarja nuk arriti ta shfrytëzonte deri në fund këtë cilësi.

Me Etrit Berishën, Kumbullën, Gjimshitin, Baren, Abrashin apo Brojën, Shqipëria ishte imponuese me gjithë mungesat e shumta si ato të Strakoshës, Hysajt apo Roshit sa për të përmendur disa emra. Armando Broja, lojtar i Çelsit huazuar tek Viteshe në Holandë, ishte më aktivi për tanët, po ashtu si Manaj, Trashi apo Kallaku, sidomos në pjesën e parë.

Pas pushimit ishte një monolog i Brojës me mbrojtjen kazake, ndërsa sulmuesin e tradhëtoi mosha e tij 19-vjeçare. Nuk dihet nëse do të ketë mbetur i kënaqur trajneri Edi Reja, pavarësisht se çfarë mund të thotë më pas, ndërsa detyra për të fituar në Lituani është më e vështirë sesa ishte kjo në Kazakistan.

Sfidanti.al