Kur një trajner ka 25 trofe në kabinetin e tij, padyshim fjala do t’i dëgjohet. Zhoze Murinjo po kalon një periudhë të këndshme, edhe pse jashtë profesionit, ndërsa flet si analist për televizionin rus “Rusia Sot” (Russia Today). Së pari, portugezi kritikoi Juventusin (dhe kolegun Alegri) që ndaj Ajaksit luajtën në një mënyrë që iu përshtat holandezëve.
“Me Ajaksin luajtëm në finalen e Ligës së Europës, – kujton Murinjo, – e bazuam lojën tonë tek aspekti fizik dhe tek topat e gjatë për Felainin, dhe Ajaksi ndjeu vështirësi. Nuk mund të dalësh para kësaj skuadre dhe të luash futboll, pasi në këtë aspekt janë më të mirë se ty. Ky ishte edhe gabimi i Juventusit, që i lejoi të luanin siç dinin. Ajaksi ka cilësi të madhe, mund të dalë në finale dhe të fitojë Championsin”.
Po për Mesin, çfarë thotë Murinjo? “Loja e tij është e thjeshtë, por sërish është e vështirë ta ndalosh sepse herë vjen nga e majta, herë nga e djathta, – u shpreh ai, – kur Mesi ka topin në këmbë dhe është një kundër një, është i pandalshëm, ndaj nuk më ka pëlqyer kurrë markimi individual ndaj tij, por ai kolektiv. Mendoj se mund ta fitojë Topin e Artë sepse po bën një sezon të jashtëzakonshëm, aq më shumë që Ronaldo u eleminua nga Championsi”.
Sfidanti.al