Në “Old Traford” ishin jo pak, por 74 500 spektatorë, me të vërtetë një “Teatër Ëndrrash”. Gjithsesi, Mançester Junajtid-Arsenal nuk ishte një spektakël ëndrrash, por një “ëndërr e keqe”, me kaq shumë gabime nga të dyja mbrojtjet. Siç shkruan “Deili Meil”, “futboll total nuk pati, por ndoshta pati kaos total”.
Në këtë “rrëmujë të organizuar”, shkëlqeu një lojtar me origjinë shqiptare, pikërisht Shkodran Mustafi, që nuk e la vetëm Xherdan Shaqirin, në listën e shënuesve të javës në Premier Ligë. Mbrojtësi, kampion i botës me Gjermaninë në 2014, realizoi pas një gjuajtje me kokë për 0-1, me “bashkëpunëtor” portierin kundërshtar, David De Gea.
Marsial barazoi katër minuta më pas (30’), ndërsa në pjesën e dytë, francezi tjetër Lakazet i dha epërsinë e dytë Arsenalit (68’), në atë që ishte më shumë një autogol i Rohos së Junajtidit. Gjithsesi, kaluan vetëm 13 sekonda, dhe Xhesi Lingard barazoi. De Gea “kërkoi falje” për gabimin, me dy pritje të mira ndaj Obamejangut dhe sfida u mbyll me një barazim që më shumë i bëri punë Arsenalit sesa Junajtidit.
Formacioni i trajnerit Unai Emeri është në vend të pestë, me 31 pikë, po aq sa Çelsi i vendit të katërt, por me golaverazh më të keq. Junajtid ka 8 pikë më pak, në vend të tetë, por ende shpresa për në Champions mbetet.
Sfidanti.al