Ishte një sukses i vështirë, jo vetëm sepse ishte minimal, por sepse kundërshtari realizoi shumë presion. Mançester Junajtidi duhet t’i falet mbrojtjes me Rafael Varanin e Lisandro Lopezin në qendër, që përballoi Sauthemptonin në stadiumin e “Shën Mërisë” (Sent Meri), si dhe këmbëve të Bruno Fernandesit që shënoi golin e vetëm të ndeshjes së Premier Ligës. Tashmë, dy humbjet e para janë lënë pas, edhe pse kritikët dhe tifozët nuk janë plotësisht të bindur për forcën e “djajve të kuq”. Një lajm tjetër i mirë ishte debutimi nga stoli i Kasemiros, ndërsa lajmi i keq ishte që Kristiano Ronaldo vazhdon të “vegjetojë”. CR7 pati në dispozicion kohë që nga minuta e 68-të, shumë më tepër sesa ndaj Liverpulit, por duket se e ka harruar sesi shënohet. Pas 4 ndeshjeve, ai nuk ka asnjë gol, diçka që ndoshta nuk i ka ndodhur kurrë në karrierë, e ndoshta po bën gati valixhet për të shkuar tek Napoli.
Sfidanti.al