Miluoki i Adetokumbos nxitet të marrë Klarksonin për titullin

Sezoni i kaluar ishte për t’u harruar, edhe në sezonin e rregullt, edhe në plej of. Miluoki Baksat nuk u dukën për asnjë moment sikur do të mundeshin të mbronin titullin e fituar në 2021, dhe “verdikti” erdhi me eliminimin e shpejtë. Janis Adetokumbo nuk u duk aq shumë dominues, sa duhet të jetë, ndërsa dëmtimet prishën punë. Në faqet e revistës së njohur, “Sports Ilustrejtid” (Sports Illustrated), analisti Ben Stinar (apo Stajnër, varet si lexohet) këshillon klubin për të bërë një përforcim përpara sezonit të ri. Ky përforcim duhet të jetë Xhordan Klarkson, i cili në 2021 u zgjodh si lojtari i gjashtë më i mirë i NBA-së. Kjo do të thotë se ai ishte më i miri si zëvendësuesi i parë (dikur kështu u vlerësua legjenda kroate, Toni Kukoç). Analisti shkruan se Klarksoni do t’i jepte pikë të vlefshme Miluokit dhe do të kushtonte pak për standardet e NBA-së, me rrogë vetëm 13 milionë USD në vit.

Sfidanti.al