Alarmi është i vërtetë, dhe duhen ndryshime. Liverpuli nuk ka asnjë fitore në Premier Ligën angleze pas 3 ndeshjeve të para, dhe disfata në fushën e Mançester Junajtidit e bëri trajnerin Jurgen Klop që të mendohet. Të kuqtë kanë nevojë për përforcime në mesfushë, dhe tekniku gjerman duket se e ndryshoi planin për të shpenzuar mjaft e për të marrë një yll si Frenki De Jongu i Barcelonës. Mesfushori holandez ka qenë prej javësh i paracaktuar për t’u larguar nga katalanasit, të cilët kanë nevojë për financa. Pasi Mançester Junajtidi dështoi me 25-vjeçarin, duket se Liverpuli do të parakalojë edhe Çelsin që gjithashtu e kërkon. Sipas mediave, Klopi është gati të japë 71 milionë euro, vetëm 4 milionë më pak sesa Barcelona shpenzoi 3 vjet më parë për ta marrë De Jongun nga Ajaksi i Amsterdamit.
Vetë trajneri gjerman nuk dha asnjë informacion në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së radhës në Premier Ligë, por gjithsesi mediat janë duke i bërë jehonë lajmit. Po ashtu, të përditshmet angleze theksojnë se Liverpuli ka dobësi në mesfushë, po luan ngadalë dhe se fanelat e vjetra nuk po e ndihmojnë Klopit. De Jongu do të ishte një katalizator i fortë pasi ka talentin dhe shpejtësinë që i duhet të kuqve, ndonëse lajmet nga Spanja janë që holandezi është gati të ulë rrogën e të vazhdojë të luajë për Barcelonën.
Sfidanti.al