Emiljano Vila gati për një aventurë të re

Emiljano Vila nuk ka ndërmend t’i japë fund karrierës futbollistike, pavarësisht se ka mbushur 38 vjeç. Mesfushori durrsak duket se ka gjetur skuadrën e re, me të cilën pritet të vijojë të luajë futboll në nivele konkurruese. Sipas informacioneve të bëra publike, Vila është parë duke u stërvitur me ekipin e Sopotit, ndërsa mes palëve është arritur edhe marrëveshja. Zyrtarizimi i bashkëpunimit pritet të bëhet në ditët në vijim.

Bëhet fjalë për një zgjedhje që tërheq vëmendjen, duke parë karrierën e gjatë dhe arritjet e mesfushorit në futbollin shqiptar. Vila ka qenë pjesë e skuadrave të rëndësishme dhe ka koleksionuar një numër të konsiderueshëm trofesh, duke fituar tri herë kampionatin, dy Kupa të Shqipërisë dhe tri Superkupa. Ndërkohë, Sopotit i duhet eksperienca e një futbollisti si Vila për të përmirësuar pozitat në kampionat. Pas tetë javësh në Kategorinë e Parë, skuadra renditet në vendin e 10-të, një pozicion që e mban pranë zonës së rrezikut për rënien nga kategoria.