Krijuesi i memes së Mbappé-së: Po planifikoja një udhëtim në Kinë

Younes Khelifi, 28-vjeçari francez që krijoi videon virale të Kylian Mbappé-së në rolin e Mao Ce Dunit, ka rrëfyer për “Marca” historinë e prapaskenave të një shakaje që, tri vite më vonë, u shndërrua në një çështje të madhe mes futbollistit të Real Madridit dhe Kinës.

Khelifi, programues me profesion dhe tifoz futbolli, administron në rrjetin social “X” llogarinë “Frenchaicovers”, ku publikon montazhe humoristike të krijuara me inteligjencë artificiale. Ideja për videon lindi në verën e vitit 2023, kur Mbappé ishte në qendër të spekulimeve për largimin nga PSG-ja.

“Kur u njoftua se do të qëndronte, më erdhi në mendje imazhi i Mbappé-së si udhëheqësi suprem i klubit. Me tifozët këndonim shpesh këngën ‘Red Sun in the Sky’ në makinë, për argëtim. Kështu vendosa ta lidh automatikisht Mbappé-në me Mao Ce Dunin”, tregoi ai.