Cilësohet si trajneri më “trapatonian” i futbollit të sotëm italian, por për ta merituar këtë krahasim duhen tituj. Xhovani Trapatoni fitoi shumë me Juventusin dhe Interin, diçka që Simone Inzagi vetëm e ka prekur sepse ka fituar Kupën dhe Superkupën e Italisë, por jo Serinë A. Kritikat për të kanë qenë të shumta nga tifozët, por edhe nga mediat, ndërsa theksohet se fytyra e Interit në humbjen me Lacion dukej tek nervozizmi i Brozoviçit apo Barelës.
“Patjetër që na dhemb që humbasim në këtë mënyrë, – tha Inzagi, – skuadra duhej të kishte pasur më shumë vendosmëri dhe cinizëm. Ndeshje të tilla vendosen nga episode. Për lojën që bëmë meritonim më shumë, por rezultati është ndryshe. Nuk jemi ende në 100 për qind të formës. Duhet ta analizojmë ndeshjen dhe të kuptojmë përse humbëm. Duhet të reagojmë”. Tifozët e revoltuar zikaltër u shfrynë në rrjetet sociale duke akuzuar trajnerin, edhe për lojën, edhe për zëvendësimet, ndërsa “La Gazeta delo Sport” ka përkufizimin: Interi sa dominues, aq edhe i pambrojtur”. Përsa i përket shqiptarëve, Elseid Hysaj luajti 20 minuta për vendasit, ndërsa Kristjan Asllani mbeti në stol për miqtë.
Sfidanti.al