Liverpuli barazon fitoren-rekord të Premier Ligës, por karakterin e tregoi Siti!

Kampionët e Anglisë nuk kanë ndërmend të zhgënjejnë lehtë dhe për fat Pep Guardiola e ka gjetur lojtarin e golit. Vërtet janë larguar Gabriel Zhezus dhe Rahim Stërling, por Erling Halandi mjafton e tepron për të dy. Sulmuesi norvegjez shënoi 3 gola në fitoren 4-2 me përmbysjë që Mançester Siti arriti në Premier Ligën angleze ndaj Kristël Palasit. Një sukses karakteri, krejt i kundërt me dorëzimin në fund në Madrid në Champions, dhe që vlen sepse ishte ndaj një rivali të ashpër si ekipi i Patrik Vieirasë. Palasi kryesoi 2-0, por Bernardo Silva dhe 3 herë Halandi vulosën suksesin pas pushimit me Sitin që ka 10 pikë duke qenë mbi rivalë si Man. Junajtidi apo Liverpuli.

Të kuqtë e Jurgen Klopit më në fund e arritën fitoren e parë të sezonit në kampionat, madje me shifrat 9-0. Në këtë mënyrë u barazua fitorja-rekord e Premier Ligës dhe tifozët u kënaqur me reagimin pas dy barazimeve dhe pas humbjes në “Old Traford”. Habi që Mo Salah nuk shënoi asnjërin nga golat, ndërsa Daruin Nunjez nuk është kthyer ende në ekip. Luiz Dias shënoi 2 gola, dy Roberto Firmino, nga një Eliot, Aleksandër-Arnold, Van Dajk dhe Fabio Karvaljo, ndërsa njëri ishte autogol. Çelsi po ashtu tregoi karakter duke fituar 2-1 ndaj Leisterit në “Stemford Brixh” edhe pse ishte me 10 vetë që nga 28’. Rahim Stërling ishte autor i dy golave.

Java 4: Sauthempton-Man. Junajtid 0-1, Man. Siti-Kristël Palas 4-2, Çelsi-Leister 2-1, Brentford-Everton 1-1, Brajton-Lids 1-0, Arsenal-Fulham 2-1.

Renditja: Arsenal 12 pikë, Siti 10, Brajton 10, Totenham 7, Lids 7, Çelsi 7. Man. Junajtid 6, Liverpul 5, etj.

Sfidanti.al