Nuk pati fitues në dy ndeshjet e së shtunës në Superligën shqiptare të futbollit. Në Durrës dhe në Kamzë sfidat u mbyllën në barazim, ndërsa në krye të renditjes, të paktën përkohësisht, është Bylisi. Skuadra nga Mallakastra mori një pikë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit përballë Teutës vendase, madje ishte pranë fitores. Antoni shënoi në fundin e pjesës së parë dhe u desh goli I sulmuesit shkodran, Hebaj, që shifrat të barazoheshin në minutën e 77-të. Bylisi ka 4 pikë në dy ndeshje, ndërsa Teuta vetëm 1.
Barazim edhe në stadiumin e Kamzës mes Kastriotit dhe Erzenit të Shijakut, por këtë herë pa gola. Skuadra vendase bëri më shumë presion dhe pati disa raste të rrezikshme, por shijakasit u shpëtuan nga portieri Xhika. Këtë të diel do të luhen dy ndeshje të tjera të Abisnet Superligës, ajo mes Egnatias e Tiranës dhe Vllaznia-Kukësi në Shkodër.