Reali dhe Atletiko i dhanë një javë triumfante skuadrave të Madridit në ligën spanjolle të futbollit. Fillimisht, ekipi i trajnerit Diego Pablo Simeone dërrmoi 4-1 Sportingun e Gihonit jashtë fushë, ndërsa më pas të besuarit e Zinedin Zidanit nuk e shpërdoruan rolin e favoritit në “Santiago Bernabeu” ndaj Espanjolit. Sukseset bënë që Reali të forconte pozitat në krye, dhe që Atletiko t’i afrohej qoftë edhe përkohësisht Seviljes së vendit të tretë dhe të mbetej me shpresë për të shkuar direkt në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Në “Bernabeu” pati një rikthim të madh, dhe ishte ai i Garet Bejlit që shënoi gol pasi hyri në fushë 3 muaj pas dëmtimit. Uellsianit i mjaftuan pak minuta që të dërgonte topin në rrjetë, pikërisht në 83’, për rezultatin 2-0. Më përpara për madrilenët kishte shënuar Alvaro Morata që në minutën e 33-të. Zidan bëri rotacion pas ngarkesës së Championsit, duke hedhur në fushë portierin Kasija, Pepen dhe Naçon në mbrojtje si dhe Kovaçiçin në mesfushë, pa harruar Moratën në sulm në vend të Benzemasë.
Kristiano Ronaldo ishte titullar dhe luajti deri në fund, por pa arritur të shënonte, ndërsa Reali ka tani 52 pikë ndaj 48 të Barcelonës, duke pasur edhe një ndeshje më pak. Ekipi “merenges” vendosi edhe një rekord, atë të 42 ndeshjeve radhazi duke shënuar gol.1
Atletiko shënoi me anë të Janik Ferreira-Karraskos, pastaj u barazua nga Sergio Alvarez, por reagoi me rrjetat e Kevin Gameiros që e dërgoi tri herë topin në rrjetë. Atletiko ka 45 pikë ndaj 46 të Seviljes që nuk ka luatur ende.
Sfidanti.al