Linkoln Siti është emri i mrekullisë më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Kupën e Anglisë, besohet ndër më të mëdhatë në të gjitha kohët në futbollin europian. Shon Ragert shënoi në fushën e Bërnlit, dhe skuadra e kategorisë së pestë u bë e para e kësaj kategorie, në 103 vjet të Kupës së Anglisë, që arrin në çerekfinale. Linkolni luajti jashtë fushe, në stadiumin e skuadrës së Premier Ligës, por formati i kupës angleze, dhe realisht demokracia në këtë vend është në nivele të tilla që edhe “Davidi” e mund “Goliadhin”.
Plot 3 000 tifozë udhëtues nuk e pushuan këngën me gjithë shpirt në stadiumin “Tërf Mur”, madje vazhduan të brohorisnin edhe gjysmë ore pasi gjyqtari Graham Skot e kishte mbyllur ndeshjen. Ishin rreth 20 000 spektatorë që u bënë dëshmitarë të kësaj mrekullie, edhe pse pjesa më e madhe e tyre doli e pakënaqur nga stadiumi. Linkolni e meritoi fitoren plotësisht pasi luajti shumë mirë dhe nuk e lejoi Bërnlin që të ishte i rrezikshëm. Tani pritet të luajë edhe skuadra tjetër e kategorisë së pestë, Sauthend Junaitid, që do të presë Arsenalin dhe shpreson të imitojë Linkoln Sitin.
Kupa i mbeti besnike traditës edhe në ndeshjet e tjera. Kampionia e Anglisë, Leiçesteri u eleminua pasi u mund 1-0 në fushën e Miluollit, ndërsa skuadra e milionerëve, Mançester Siti nuk mundi të merrte më shumë se barazimin 0-0 në fushën e një kundërshtari modest si Hadërsfilldi.
Rezultatet: Bërnli-Linkoln Siti 0-1, Hadërsfild-Man. Siti 0-0, Miluoll-Leiçester 1-0, Midëllsbrou-Oksford Junajtid 3-2.
Sfidanti.al