“San Siro” mund të jetë një tempull, dhe Milani me Interin dy prej klubeve më të mëdhenj të Italisë, të Europës dhe të gjithë botës. Kjo nuk vlen edhe aq shumë nëse flitet për një derbi, dhe duket se në renditjet e përbotëshme nuk pëlqehet mjaft publiku i veshur dhe i ushqyer mirë i kryeqendrës lombarde, qendrës financiare të Italisë, Milanos.
Në 10 derbit që ka rreshtuar gazeta britanike “Deili Mirrër” (Daily Mirror) janë vërtet disa nga ndeshjet më spektakolare, qoftë për futbollin, për koreografinë dhe për rivalitetin. Nga Italia, nderin për të qenë në këtë 10-she e ka vetëm Roma-Lacio, derbi i kryeqytetit, që nga tifozët cilësohet “për jetë a vdekje”.
Duke nisur nga Dortmund-Shalke, flitet për derbin më të madh të Bundesligës, për ndeshjen mes dy ekipeve të punëtorëve të Luginës së Rurit. Më pas, derbi i Brazilit, Gremio-Internasional në Porto Alegre. Dy klube të ndryshëm, dy realitete të ndryshëm, edhe pse në një qytet. Gremio, themeluar në 1903 nga emigrantë të kamur gjermanë, Internasionali nga emigrantë të varfër italianë. Derbi i ashpër, i zjarrtë, me “italianët” në epërsi 154 fitore ndaj 129.
Vjen në radhë, Mançester Junajtid-Liverpul, jo dy ekipe të një qyteti, por dy klubet më të mëdhenj të Anglisë, dhe të dy në Veri. Historia mes tyre është vërtet e madhe dhe nuk ka nevojë për shumë komente. Pas Roma-Lacio të Serisë A, ja një tjetër derbi i Amerikës së Jugut, Nasional-Penjarol të Montevideos në Uruguaj (Klasikja e futbollit uruguajan). Edhe këtu, si në Brazil, një ndarje e fuqishme sociale.
Penjaroli u themelua nga emigrantë anglezë, pra njerëz në gjendje të mirë financiare, ndërsa Nasionali u krijua nga lojtarë vendas, uruguajanë, pra më të varfër. Këtu është Penjaroli në epërsi sado që jo shumë të madhe, 184 fitore ndaj 174 në 511 ndeshje, ndërsa me tituj janë 48-46 për Penjarolin dhe për Kupat Libertadores, 5-3 po për Penjarolin.
Turqia përfaqësohet nga derbi i Stambollit, Fenerbahçe-Gallatasaraj, ai që quhet “derbi ndërkontinental”. Feneri vjen nga Stambolli aziatik dhe Gallata nga Stambolli europian. Fenerbahçe kryeson me 147 fitore ndaj 123.
Nga Stambolli në Kairo, nga Turqia në Egjipt, tek superderbi Al Ahli-Zamalek. Plot 50 milionë e ndjekin në televizor në Egjipt, dhe shumë më tepër në Afrikë apo Lindjen e Mesme. Ashtu si në Brazil apo Uruguaj, edhe në Kairo, dallimi shoqëror është i madh. Al Ahli u themelua nga studentët dhe punëtorët, egjiptianë të thjeshtë, ndërsa Zamaleku nga borgjezia e pasur kolonialiste, dhe presidentin e parë, belgun George Marcbah. Al Ahli kryeson thellë me 65 fitore ndaj 36 të Zamalekut. Dy klubet janë të famshëm në Afrikë, me Al Ahlin që ka 8 Champions dhe Zamalekun me 5.
Derbi numër 3 në botë, është ai i famshmi i Skocisë, ndoshta më i vjetri në rruzull, Sëlltik-Rejnxhërs. Sëlltiku, i themeluar në 1887 me synimin për të lehtësuar varfërinë e emigrantëve irlandezë në Lagjen Lindore të Gllazgout (East End), ndërsa Rejnxhërsi ishte më “skocez”. Mbi 400 ndeshje mes tyre, me Rejnxhërsin në epërsi, 159 fitore ndaj 152.
Për Real Madrid-Barcelona nuk ka mbetur gjë për të shkruar, pasi dihet gjithçka, dhe është “El Klasiko” i Spanjës, derbi numër 2 i botës. Në vend të parë, nuk mund të ishte tjetër përveçse Boka Juniors-River Plejt, “Superklasiko” i Argjentinës, i Buenos Airesit. Kështu ka ndodhur në çdo renditje, të çdo gazete në botë. Plot 366 ndeshje, 132 fitore Riveri dhe 119 Boka, me atmosferën e jashtëzakonshme të çdo ndeshjeje.
- Dortmund-Shalke
- Gremio-Internasional, Porto Alegre
- Mançester Junajtid-Liverpul
- Roma-Lacio
- Nasional-Penjarol, 500 ndeshje mes tyre, derbi më i vjetër jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
- Fenerbahçe-Gallatasaraj
- Al Ahli-Zamalek
- Gllazgou Rejnxhërs-Sëlltik
- Real Madrid-Barcelona
- Boka Juniors-River Plejt
Sfidanti.al