Ishte dita e bujshme që mundëm Serbinë. Dhe presidenti Duka u shfaq disi papritur, si i vetëftuar në mikrofonin e emisionit “Paso” në Radio Top Albania. Një nga pyetjet ishte në formë lutje : “ President, kur të luajmë me Andorën.. na gjej një arbitër të mirë..?!” Dhe presidenti, sikur e kishte në xhep përgjigjen: “ Atë ndeshje e mban edhe Lorenc Jemini, që keni aty në studio.”
..Atë ditë që u hodh shorti as na shkonte në mëndje se “rruga e mëndafshit” për në Botëror do të kalonte nga Andora. Tani e kemi radhën ne për të bërë historinë, sepse më shumë se 20 vite më parë, tamam në Andorra, kur presidenti Duka ishte debutues si “lojtar”, e bënë ata historinë. Atëherë, “bota e futbollit” na vuri në lojë se sa poshtë u katandisëm..
Këtë radhë do të jetë ndryshe. Do të sulmojmë portën e tyre, sepse na “presin në Botëror”. Dhe trajneri Silvinjo na injektoi overdozën e besimit kur tha plot siguri “ Nuk e kam problem golin. E di kush do të futet dhe cili do të shënojë”. Ai vetë e paska “parë” ndeshjen me Andoren, kurse ne të gjorët presim ..mbrëmjen. Ishalla ka në mëndje Brojën si njeriun që lan hesapet me mosbesimin qe e rrethon prej kohesh. Pale kur degjon se është më mirë kur vjen i zemëruar nga stoli, se sa kur vë këmbën në formacion qysh nga fillimi…
Sfidanti.al

