“Spiunoi” Falkao, Kolumbia mund të mos shkojë në Botërorin e Rusisë?

Pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, kapiteni i Kolumbisë, Radamel Falkao, u tha peruanëve se do të ishte bukur, nëse ndeshja përfundonte 1-1, pra, aq sa ishte deri në atë kohë. Kolumbia, mbas këtij rezultati, u kualifikua direkt për në Kupën e Botës, por, tani, mund të mbesë pa shkuar atje, nëse do të provohet se futbollistët e të dy ekipeve “janë marrë vesh” njëri me tjetrin për barazimin. Pretendohet se “marrëveshja” u arrit në ndeshjen e lartpërmendur, kur në transmetimin televiziv u pa kapiteni i Kolumbisë, Falkao, “duke biseduar” me disa lojtarë perunaë. Në fakt, Kolumbisë i mjaftonte barazimi, pra, 1 pikë që të shkonte direkt në “tubimin planetar” të futbollit, ndërkohë që Peruja me pikën që do të fitonte, do të zinte vendin e 5-të që i siguronte asaj pjesëmarrjen në play off, ku ajo do të luajë më ekipin modest të Zelandës së Re.

Që diçka e tillë edhe mund të ketë ndodhur në fushë, këtë e konfirmoi edhe mesfushori i Fejenordit që  luan me përfaqësuesen e Perusë, Renato Tapia: “Pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, kolumbianët filluan që të na tregonin për rezultatet e ndeshjeve të tjera kualifikuese të asaj dite. Falkao m’u afrua dhe më tha se të dy ekipet tona ‘janë në lojë’, se të gjithë ne do të jemi të kënaqur, nëse ndeshja del aq është (1-1)”, tha Tapia.

Në rregulloren e FIFA-s, në pjesën lidhur me ndeshjet e paracaktuara (fiksuara), vihet në dukje se për marrëveshje mes lojtarëve mund të merret vendimi për përjashtim nga konkurrimi përkatës ose heqja e tri pikëve. Kili do të ishte ekipi që do të përfitonte nga përjashtimi eventual i Kolubinësë, ndërkohë që, nëse do të dënohet edhe Peruja, kandidat për në play off do të ishte Paraguai.

Sfidanti.al