“Ju urrejnë për origjinën tuaj”, “Marka” zemëron Totenhemin!

Nuk mund të thuhet se artikulli i gazetës “Marka” ishte me qëllim të keq. Media e famshme spanjolle i kushtoi një artikull dashamirës Totenhemit, në vizitën e tij në Madrid, me rastin e Championsit, duke e quajtur një klub me stil të famshëm dhe lojtarë të mëdhenj, pa harruar të vinte si foto, jo vetëm Harri Kejnin apo Pol Gaskoinin, por edhe dy ish-lojtarë të Spërsave që sot janë tek Reali, Modriç e Bejl.

Gjithsesi, Totenhemi u nxeh shumë nga shkrimi i gjatë i “Markës”. Përse? Arsyeja kryesore ishte se aty thuhej se origjina hebreje e themeluesve të klubit londinez ka bërë që Totenhemi të shihej me sy të keq nga tifozeritë rivale. Në fakt, vetëm pak ditë më parë, një pjesë e tifozëve të Çelsit këndoi në stadiume një këngë kushtuar Alvaro Moratës ku shahej pikërisht origjina herberje e Spërsave.

Totenhemi, sidoqoftë, ka të drejtë dhe “Marka” ka gabuar. Antisemitizmi ka qenë plagë në Europë, si edhe në vende të Lindjes së Mesme dhe ka krijuar tragjeti, vuajtje dhe keqkuptime të mëdha. Pavarësisht se mes tifozëve në Angli ka antisemitë, ka nga ata që i urrejnë hebrejtë dhe duan të përdorin shprehjet fyese “çifutë” apo “judë”, sërish nuk mund të përgjithësohet kjo tek dhjetëra e qindra mijë tifozë të Çelsit, Arsenalit, Liverpulit apo Mançester Junajtidit.

Sfidanti.al