Egnatia gjen fitoren e parë në fazën e grupit të Conference League, raundi i katërt, 2-1 përballë Lincoln Red Imps. Në “Air Albania”, në pjesën e parë, skuadra rrogozhinase krijoi shumë volum loje, raste për shënim, por gaboi në finalizim. Albanese, Loukili Adjessa apo dhe Gruda nuk mundën të mposhtnin portierin e Lincoln, Santana.
Megjithatë, fillimi i pjesës së dytë solli menjëherë zhbllokimin e Egnatias. Albanese finalizoi me sukses një asistim të dhuruar nga Fernando.
Lincoln, pothuajse inekzistente në lojën sulmuese, u zgjua në minutat e fundit duke shënuar me anë të Idrissi, por reagimi i rrogozhinasve ishte i menjëhershëm duke kaluar përsëri në avantazh me anë të Fernandos dhe duke e ruajtur deri në fund. Kjo është fitorja e parë e të besuarve të Nevil Dedes, të cilët ngjiten në kuotën e 5 pikëve, duke rritur shanset për kualifikim.

