Conor Benn turpëron Chris Eubank Jr

Conor Benn, pasi ka kaluar tri vite të mbushura me polemika, rrëzime dhe një humbje të rëndë, më në fund gjeti çlirimin që kërkonte.

Në mbrëmjen e së shtunës, ai e dominoi plotësisht dhe e “shkatërroi” rivalin e vjetër Chris Eubank Jr në një duel 12-raundësh që nuk pati asnjë dilemë për fituesin. Benn ishte shumë pranë nokautit spektakolar në minutën e fundit të luftës, kur e rrëzoi dy herë Eubank Jr me goditje të forta.

Fillimisht, një kombinim i fuqishëm e la Eubank Jr me reagim të vonuar, por goditja e djathtë që i ra pas veshit e përplasi përdhe. Ai u ngrit, vetëm që të binte sërish pak çaste më vonë, teksa Benn lëshonte një breshëri goditjesh mbi trupin e tij të lodhur dhe të tkurrur.

Vetëm gongu i fundit e shpëtoi nga përfundimi teknik, sepse gjyqtari me gjasë do ta kishte ndalur duelin.

Siç pritej, rezultatet e gjyqtarëve ishin formalitet: 119-107, 116-110 dhe 118-108 në favor të Conor Benn. Një fitore e thellë, e qartë dhe e merituar.

Ky triumf vjen pas tri viteve të vështira për Benn, i cili në vitin 2022 kishte rezultuar dy herë pozitiv për substancën narkotike dhe humbi betejën e parë ndaj Eubank vetëm shtatë muaj më parë. Megjithatë, këtë javë ai kishte paralajmëruar se në revansh do të ishte shumë më i ftohtë, më klinik dhe më i disiplinuar – dhe ashtu ndodhi.

Ndërkohë, Eubank Jr – që zakonisht lufton dy kategori më lart se Benn – u duk i rraskapitur dhe i dëmtuar rëndë nga procesi i humbjes së peshës, teksa një klauzolë rigoroze e ribalancimit nuk i lejoi të shtonte më shumë se 10 paund pas peshimit zyrtar. Për 36-vjeçarin, kjo duel dukej qartë se ishte një hap shumë i madh dhe ndoshta i fundit në këtë nivel.

sfidanti.al