“Lufton bualli me miun”, ishte një shprehje e kohës së luftës boere në Afrikën e Jugut. Një luftë e tillë pritet të jetë në Kupën e Anglisë, pasi një ekip “liliputës” u shortua me Totenhem Hotspurin. Ky ekip e ka emrin Marin AFC (Marine AFC). Skuadra luan në divizionin e parë të Premier Ligës së Veriut, që do të thotë në kategorinë e 8-të të futbollit anglez. Ajo përfaqëson një klub të vogël nga krahina e Liverpulit dhe Lankasterit, që është i vjetër (themeluar në 1894), por modest. Flitet për një nivel ku duhen dhënë fonde prej 120 000 paundësh nga Premier Liga që të investohet në stadiumin “Roset Park”, ku nëse lejohen tifozët, mund të ketë vende të ulura vetëm për 389 tifozë.
“Shorti me Totenhemin është i pabesueshëm, – tha trajneri Nill Jang,- është një ndjenjë e papërshkrueshme të sjellësh kryesuesit e Premier Ligës në fushën tonë të vogël. Do të vijnë kapiteni i Anglisë, kapiteni i Uellsit dhe Zhoze Murinjo, një shpërblim i merituar për djemtë”. Marina është i vetmi klub i nivelit të 8-të që ka depërtuar deri në këtë nivel të kupës në këtë sezon.
Sfidanti.al