Kur e thotë edhe Foremani: Tajsoni mund të bëhet kampioni më i vjetër!

Legjenda 71-vjeçare nuk ka më mundësi të kthehet në ring, por mendja e tij punon siç ka qenë në vitet 70-të, apo ndoshta edhe më mirë. Xhorxh Foreman, i vlerësuar gjerësisht si grushti më i fortë i boksit profesionist për të gjitha kohët, mendon se Majk Tajsoni mund t’ia marrë rekordin si kampioni më i vjetër në historinë e peshave të rënda. i mbiquajturi “djali i keq” bëri përshtypje të madhe në rikthimin në ring në moshën 54-vjeçare në ndeshjen për shfaqje ndaj Roi Xhonsit, që përfundoi në barazim.

“Nëse ai ruan këtë formë që ka tani, dhe nëse i del shansi për ta bërë, ai ka mundësi të luftojë për titullin, – u shpreh Foremani, – nëse ai do të drejtohet siç duhet, do të ketë mundësi të ndeshet me një kampion dhe madje të fitojë. Tajsoni u duk shkëlqyeshëm dhe Roi Xhonsi pati nevojë për gjithë përvojën dhe talentin që të mos hidhej nokaut”. Foremani u bë kampioni më i vjetër i peshave të rënda në 1994, në moshën 45-vjeçare kur hodhi nokaut Majkëll Murerin, ndërsa rekordin absolut e mban Bernard Hopkins në peshat e lehta që doli kampion në moshën 46 vjeç. Tajsoni mund të thyejë pra çdo rekord.

Sfidanti.al