Kthimi i Ramosit në Champions, mrekulli apo gabim nga nxitimi?!

Kur kapiteni i Realit u operua në 6 shkurt, klubi njoftoi se koha e riaftësimit të tij do të shkonte nga 6 deri në 8 javë. Që do të thotë nga 42 deri në 56 ditë. Gjithsesi, me meniskun që duket mjaft të mirë, Sergio Ramosi po punon fort për t’u kthyer në fushë shumë ditë përpara afatit. Në 13 mars është ndeshja e kampionatit ndaj Elçes, që do të thotë 35 ditë pas operacionit, dhe qendërmbrojtësi ka si synim që të jetë në ekip pikërisht atë ditë. Në 16 mars do të luhet ndeshja e kthimit në Champions ndaj Atalantës, pra 38 ditë pas operacionit dhe Ramosi dëshiron të luajë në formacion për të ndihmuar ekipin që të kualifikohet. Jo më kot ai cilësohet “zotëria Champions”, duke qenë se ka fituar 4 trofe të tillë në karrierë, dhe do të donte edhe një tjetër. Gjithsesi, pyetja është mos po nxitohen me kapitenin?

Sfidanti.al