Përplasja mes Barcelonës dhe Real Madridit po zhvendoset edhe në sallat e gjyqit. Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, dhe klubi katalanas janë thirrur në një seancë pajtimi pas padisë së paraqitur nga Barcelona për shpifje, lidhur me deklaratat e bëra nga drejtuesi madrilen në një konferencë për shtyp në muajin maj.
Seanca është caktuar për 25 nëntor, në orën 09:40, në një nga sallat e gjykatave të Madridit. Barcelona kërkon që Pérez të tërhiqet nga disa prej deklaratave të tij dhe të bëjë një korrigjim publik. Nëse presidenti i Real Madridit nuk paraqitet në seancë ose refuzon të tërhiqet nga deklaratat, Barcelona ka paralajmëruar se do të vijojë me një padi penale për shpifje, duke e çuar konfliktin institucional mes dy klubeve rivale në një tjetër nivel.
Pérez kishte bërë deklarata të forta për çështjen Negreira, duke e cilësuar atë si “rastin më të madh të korrupsionit në histori” dhe duke pretenduar se Barcelona kishte përfituar gjithmonë nga situata. Ai gjithashtu deklaroi se Real Madridit i ishin “vjedhur” shtatë tituj kampionësh, duke argumentuar se klubi mund të kishte fituar 14 nëse nuk do të kishte ndodhur kjo. Barcelona reagoi ashpër ndaj këtyre deklaratave. Në qershor, klubi njoftoi zyrtarisht se kishte nisur procedurat ligjore, duke kërkuar tërheqjen e Pérez nga ato që i konsideron deklarata shpifëse dhe dëmtuese për imazhin dhe reputacionin e klubit.
Edhe zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste, kishte deklaruar se klubi do të ndiqte çështjen në gjykatë. Tashmë, data 25 nëntor është caktuar për përballjen e parë gjyqësore mes palëve, ndërsa nëse nuk arrihet pajtimi, çështja mund të vijojë me procedura penale.

