Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Romës në zonën e Pietralatës ka marrë një hap të rëndësishëm përpara. Konferenca e Shërbimeve ka dhënë opinion pozitiv për projektin e fizibilitetit teknik dhe ekonomik, duke i hapur rrugë fazave të mëtejshme të procedurës administrative.
Mbledhja përfundimtare u zhvillua në Këshillin e Lartë të Punëve Publike, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, si pjesë e procesit që synon dhënien e autorizimit të unifikuar për ndërtimin e impiantit. Sipas planit aktual, vendosja e gurit të themelit parashikohet për marsin e vitit 2027, ndërsa përfundimi i stadiumit synohet brenda vitit 2031. Roma synon gjithashtu që impianti i ri të jetë në listën e stadiumeve të përdorura për Euro 2032.
Investimi total parashikohet të arrijë në 1.377 miliardë euro. Rreth 633 milionë euro do të shkojnë për stadiumin, 50 milionë për parkimet, 27 milionë për hapësirat e gjelbra, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për ura për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe për rikualifikimin e stacionit të metrosë Quintiliani. Financimi do të mbështetet kryesisht nga familja Friedkin, me 572 milionë euro kapital, ndërsa 600 milionë euro parashikohet të sigurohen përmes një kredie bankare. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 60.605 vendesh. Një prej elementeve kryesore do të jetë ‘Curva Sud’, e projektuar për të akomoduar 22.769 tifozë dhe e konceptuar si një strukturë e madhe monolite. Tribuna do të ketë gjithashtu 22 hyrje të dedikuara për lagjet historike të Romës.
Sipas parashikimeve financiare, stadiumi pritet të gjenerojë rreth 153.6 milionë euro të ardhura në vit nga biletat, sponsorët dhe shërbimet e kateringut, ndërsa fitimi neto i klubit vlerësohet në rreth 60 milionë euro në sezon.

