Dy grabitësit që bastisën shtëpinë e Alexander Isak-ut janë dënuar me burg, pasi rezultuan se kishin shënjestruar edhe banesat e disa futbollistëve të tjerë të Premier League-s.
Valentino Nikolov, 34 vjeç, dhe nipi i tij, Charlie Jovanovic, 24 vjeç, udhëtuan nga Italia drejt Anglisë dhe studiuan rrjetet sociale dhe qendrat stërvitore për të identifikuar futbollistët që mund të grabisnin. Ata më pas sulmuan banesat e Neil Etheridge, Matheus Cunha dhe Leon Bailey, në periudha kur lojtarët ndodheshin jashtë shtëpive për ndeshje. Sipas të dhënave të paraqitura në Newcastle Crown Court, nga shtëpia e Cunhas u vodhën veshje dhe sende luksi me vlerë deri në 500 mijë paundë, ndërsa nga banesa e Etheridge u morën sende me vlerë rreth 15 mijë paundë, përfshirë veshje firmato, një orë Rolex dhe bizhuteri.
Grabitësit përdornin maska, doreza dhe llamba në kokë, ndërsa kishin me vete edhe një substancë kimike për të neutralizuar qentë e familjeve. Shtëpia e Etheridge u sulmua më 26 dhjetor 2023, kur ai ishte jashtë duke luajtur me Birmingham City-n. Bashkëshortja e tij, e cila gjithashtu nuk ndodhej në shtëpi, u njoftua për grabitjen përmes një monitori për foshnjën, i cili shfaqi një person në një nga dhomat. Ndërkohë, shtëpia e Leon Bailey-t u shënjestrua në natën e Vitit të Ri 2023, ndërsa ai luante në transfertë me Aston Villa-n. Sistemi i sigurisë zbuloi dy persona të veshur me të zeza, me doreza dhe maska, duke tentuar të hynin në banesë. Policia u njoftua dhe grabitësit u larguan pa marrë asgjë.
Nikolov dhe Jovanovic ishin dënuar më herët për grabitje të ngjashme, përfshirë atë në shtëpinë e Alexander Isak në Newcastle, në prill 2024, ku u vodhën bizhuteri të personalizuara me vlerë 68 mijë paundë dhe 10 mijë paundë ‘cash’.

