Duel Lebron-Uestbruk, por Lejkërsat vuajnë mungesën e Dejvisit!

Sezonin e kaluar njeriu i gjatë ndihmoi kapitenin e tij në misionin për të fituar titullin në NBA. Këtë herë, Entoni Dejvis mbetet me “raport” dhe Los Anxhelos Lejkërsat po humbasin në mungesë të tij. Kjo ndodhi edhe në ndeshjen në shtëpi ndaj Uashingtonit që u zgjidh vetëm pas kohës shtesë, 127-124 për miqtë. Lebron Xhejmsi bëri një paraqitje shumë të mirë ndërsa u ndodh në fushë për 43 minuta. Ai shënoi 31 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 13 asistë, duke iu afruar një tripëll dabëlli. Një minus i madh për të ishte që e humbi topin 8 herë e duket se lodhja po bën të vetën.

Lebroni është i treti këtë sezon në NBA për minutat në fushë, me 200 minuta më shumë se cilido lojtar tjetër i Lejkërsave. Në moshën 36-vjeçare kjo ndikon, ndonëse “Mbreti” i basketbollit deklaroi se është mësuar kështu dhe do të vazhdojë ta bëjë pa problem. Pranë një tripëll dabëlli ishte edhe ylli i Uashingtonit, Rasëll Uestbruk, që shënoi 32 pikë, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 9 asistë. Gjithsesi, më shumë pikë për miqtë shënoi Bredli Bil, një nga lojtarët më të mirë të sezonit që arriti në shifrën 33. Për Uashingtonin kjo ishte fitorja e pestë radhazi, ndërsa Lejkërsat zbritën sërish në vendin e 3-të në Konferencën Perëndimore, me 22 fitore e 10 humbje. Për fat të keq, Dejvisi do të vazhdojë të mungojë edhe rreth 3 javë.

Sfidanti.al