Bajerni luajti si “luan i plagosur” dhe siguroi kualifikimin në Romë!

Një duel pa duel brenda, një ndeshje pa histori, por vetëm me dominimin e një skuadre që, përtej krizës së momentit, e di mirë se ku ndodhet dhe ia njeh Championsit “çdo skutë”. Nuk do të ishte Lacio kundërshtari që do të ndalte këtë Bajern, por vetëm ndonjë Real apo Liverpul në formë të mirë, që do të kishin edhe cilësinë, edhe përvojën për ta realizuar misionin.

Përfundoi 4-1 për bavarezët në stadiumin “Olimpiko” të Romës, dhe paralajmërimet e të tillëve si Mateus apo Haman realiteti i hodhi në kosh. Nuk është hera e parë kur pohimet e sforcuara të opinionistëve shkrihen si dëbora përpara “diellit” të realitetit. Hansi Flik e mori kënaqësinë që deshi, dhe që kërkoi, në një ndeshje që vlente shumë, ashtu si finalja e Kupës së Botës për Klubet. Levandovski, Musiala (17 vjeç), Sane dhe autogoli i Açerbit e ngjitën rezultatin në 4-0 përpara se Korrea të shkurtonte. Gjithçka në vetëm 49 minuta lojë.

Me mbi 56 për qind të zotërimit të topit dhe me 7 gjuajtje në kuadrat ndaj 5 të kundërshtarëve, bavarezët treguan se përse janë kampionë të Europës dhe të botës, dhe se çfarë diference e jashtëzakonshme është mes tyre dhe një skuadre të mirë si Lacio, por që kishte 21 vjet pa luajtur në Champions. Suksesi dërrmues u arrit edhe pse gjermanët nuk kishin Tomas Mylerin, Gnabrinë, Tolisonë apo Dagllas Kostën.

Bajerni: Nojer, Zyle, Boateng, Alaba, Dejvis, Kimih, Gorecka (Martinez 63’), Sane (Sarr 90’), Musiala (Çupo-Moting 90’), Koman (Hernandez 75’), Levandovski. Tr. Flik

Sfidanti.al