Zhiru si Agustin Kola, Çelsi i Tuhelit fiton si ekip Championsi

Le ta themi me zë të ulët se ky ekip është pretendent për trofeun, sepse janë disa “pesha të rënda” që do të qeshnin me të madhe, si Bajerni, Mançester Siti, Reali apo Liverpuli. Liga e Kampionëve nuk është “kostum i prerë” për “trupin” e Çelsit, por Blutë e Londrës nuk duan të kenë mendime të tilla, por vetëm t’i marrin ndeshjen njërën pas tjetrës. Fitorja 1-0 në fushën e Atletikos së Madridit vërtet nuk i ka kualifikuar për në çerekfinale, veçse i ka dhënë një dorë të madhe që t’ia dalin në “Stemford Brixh”.

Olivie Zhiru, sulmuesi i çuditshëm francez që duket herë si Maradona me roveshatat e tij, herë si një “makinë ngarkese”, u bë shpëtimtari duke shënuar golin pikërisht në këtë mënyrë. Ishte një gol që i afrohej atyre të Kristiano Ronaldos apo Garet Bejlit, por le të themi edhe atyre të Agustin Kolës në vitet 80-të, kur sulmuesi akrobatik i Tiranës (17 Nëntorit të atëhershëm) shkëlqente në kampionatin shqiptar. U deshën 3 minuta për t’u pranuar goli, që nga minuta e 67-të e sekonda e 56-të deri në minutën e 70-të e sekondën e 45-ës kur përfundoi shqyrtimi me VAR. Ndeshja e kthimit do të jetë tepër e vështirë, me Zhorzhinjon e Mejzën Mauntin të pezulluar, por Çelsi ka gjetur tek Tomas Tuheli një trajner për Championsin. A nuk e tregoi vjet me Paris SG kur arriti finalen?

Sfidanti.al