Që kur shteti i vogël ballkanik u pranua në bashkësinë ndërkombëtare, dhe po ashtu në FIFA e UEFA, sukseset kanë qenë të mëdha. Ekipi kombëtar i Kroacisë është vërtetuar si një nga çuditë më të mëdha të futbollit në botë, duke arritur të kualifikohet në 12 faza finale nga 14 turne të mëdhenj (Botërorë e Europianë) që nga viti 1996. Vetëm ekipe të tillë si Gjermania, Franca, Anglia, Spanja dhe Portugalia ia kanë dalë në Europë, ndërsa vetë Italia, Belgjika apo Holanda janë më prapa.
Fitorja ndaj Rusisë në stadiumin “Poljud” të Splitit u arrit vetëm në minutën e 81-të falë një autogoli të lojtarit rus Kudrjashev, dhe e kualifikoi në Kupën e Botës në Katar vitin e ardhshëm. Siç shkruan “Veçernji Listi”, një vend me pak më shumë se 4 milionë banorë, mundi një shtet si Rusia që ndoshta ka 150 milionë frymë. Në Kupën e Botës 2018 në Rusi, Kroacia arriti finalen e mundur vetëm nga Franca, në Botërorin 1998 në Francë doli në vend të tretë, ndërsa në Europianët në 1996 e 2008 arriti në çerekfinale.
Festa është e madhe në Zagreb, Split, Rijekë, Osijek, Zadar e qytete të tjerë kroatë, ndërsa dyshimi i vetëm mbetet nëse kapiteni Luka Modriç do të jetë në gjendje të vazhdojë në kombëtare për shkak të moshës. “Nuk e di se ç’mund të ndodhë deri atëherë”, – tha mesfushori i Realit.
Sfidanti.al