Kroacia sërish në gjysmëfinale të Botërorit; favoriti Brazil ra në pengesën e parë!

Me gjithë respektin për Zvicrën, Kamerunin dhe Serbinë, padyshim ekipe të mira dhe finalist në Katar, “Selesao” do të kishte sfidën e vështirë fillestare. Kroacia, edhe pse kombëtarja e një vendi me vetëm 4 milionë banorë, vinte në çerekfinalen e Kupës së Botës si nënkampione e rruzullit në fuqi, dhe si ekipi me legjenda të gjalla si Luka Modriç apo të tjerë. Brazili, pavarësisht epërsisë në lojë dhe në potencial, nuk e theu dot karakterin e fortë të ballkanasve, që u bënë nderi dhe krenaria e Gadishullit duke eliminuar pesë herë kampionët e botës.

U deshën 120 minuta, u deshën penalltitë, por gjithsesi Kroacia i pati nervat të forta për kaq gjatë. Nuk bëri punë talenti i jashtëzakonshëm i Nejmarit, Vinisiusit, Risharlisonit, Rafinjës, Antonit, Kasemiros, Militaos, as përvoja e madhe e Markinjosit apo Tiago Silvës dhe as klasi i nivelit botëror i portierit Alison. Kroatët ishin hekur dhe me zemër “luani”, me Modriçin dhe Juranoviçin në nivele të shkëlqyera, por padyshim portierin Livakoviç që sërish priti penallti, me Gvardiolin “imperioz”, me Perishiçin, Brozoviçin, Kovaçiçin.

Jo vetëm kaq, por pasi Nejmari shënoi golin e shkëlqyer pas një aksioni të mrekullueshëm ekipor dhe individual, trajneri kroat, Zllatko Daliç, nuk ngurroi të hidhte në fushë vetëm sulmues. Ekipi i tij e mbylli ndeshjen me Petkoviçin, Vlashiçin, Orshiçin dhe Budimirin, plot 4 sulmues! Dhe kjo ndaj Brazilit. Fitore e merituar ballkanase, provë se edhe Davidi e mund Goliadhin dhe ky Botëror duhet ta rishkruajë historinë e tij. “Mbreti vdiq” dhe nuk mund të themi “Rroftë Mbreti”!

Kroacia (4-1-2-3): Livakoviç, Juranoviç, Lovren, Gvardiol, Sosa (Budimir 111’), Brozoviç (Orshiç 114’), Kovaçiç (Majer 106’), Modriç, Pashaliç (Vlashiç 72’), Kramariç (Petkoviç 72’), Perishiç.

Sfidanti.al