Kristiano Ronaldo barazohet me Pelen dhe rrit legjendën

Goli në finalen e Kupës së Botës për klubet ishte i 7-ti personal. Kristiano Ronaldo jo vetëm vendosi finalen ndaj Gremios së Brazilit, në favor të Realit, por edhe barazoi një legjendë të paprekshme të futbollit, brazilianin Pele. “Perla e zezë” kishte shënuar po 7 gola në kompeticionin që quhej më parë Kupa Interkontinentale.

Nën udhëheqjen e tij Reali fitoi finalen e 10-të radhazi, pa humbur asnjë në këtë seri, ndërsa ai vazhdon të shtojë numrin e trofeve personalë dhe ekiporë. Natyrisht, Pele dhe Maradona nuk janë aspak dakord me deklaratat e portugezit se “unë jam më i miri në histori”. Padyshim, as Lionel Mesi nuk është dakord, dhe e pati një mbështetje në kauzën e tij pasi revista britanike “4-4-2” (For-For-Tu – Four Four Tëo) e nxorri atë dhe jo Ronaldon si më të mirin e vitit.

Gjithsesi, suksesi në fushën e lojës e bën Kristianon të veçantë dhe padyshim ai është shumë pranë më të mirëve. Ai nuk e ka talentin që kishin Pele e Maradona, apo që ka Mesi, ai ka një përgatitje fizike të jashtëzakonshme, ka mjaft talent dhe ka ambicie të pafundme. Falë tij (dhe shokëve të tjerë), Reali u bë i pari ekip që e fitoi dy herë radhazi Kupën e Botës për klubet, ashtu siç u bë i pari që fitoi dy herë radhazi Championsin.

Sfidanti.al