Dorëheqja e Starovës është lajm i keq për Partizanin, kur s’ia doli ai …

Një lajm priste për t’u dhënë me të përfunduar ndeshja. Njoftimi erdhi nga goja e gazetarit të Supersportit në transmetim direkt. Partizani do të duhet të gjejë trajner tjetër, pasi Sulejman Starova dha dorëheqjen.

Një vendim edhe i pritshëm, edhe i habitshëm për një nga personalitetet e rëndësishëm të futbollit, i cili vërtet humbi 0-5, por edhe e kishte marrë skuadrën në dorëzim vetëm në 7 nëntor, pas shkarkimit të Mark Iulianos.

Veterani 62-vjeçar, me një karrierë të gjatë si trajner dhe si sekretar i Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk doli të fliste fare për mediat pas humbjes 0-5, por i komunikoi skuadrës vendimin e tij, që u konfirmua zyrtarisht edhe nga klubi.

Starova ishte njeriu i dytë në stolin e të kuqve pas Iulianos, ndërsa nuk dihet se cili mund të jetë pasardhësi i tij. Për momentin, ekipi do të stërvitet nga ndihmësi Klevis Dalipi, ndërsa në media ka dalë si kandidat emri i ish-trajnerit të Laçit dhe Vllaznisë, Armando Cungut.

Starova, ndërkaq, ka qenë gjithnjë një karakter i suksesshëm dhe që ka krijuar polemika në futbollin shqiptar. Ai është trajneri i fundit kampion me Partizanin në 1993, doli kampion me Tiranën në 2005, ndërsa lëshoi akuza të forta pak javë më parë ndaj drejtuesve italianë të Partizanit, Moxhi e Iuliano. Dorëheqja e Starovës është lajm i keq për Partizanin, pasi kur nuk ia doli ai, vështirë se mund t’ia dalë dikush tjetër.

Sfidanti.al