Anglia e lumtur dhe e trishtuar për dominimin e bukur të Sitit

Verën e kaluar mediat angleze mburreshin me të madhe përpara gjithë botës se vetëm vendi i tyre mund të ofronte një ligë futbolli ku 4-5 skuadra të pretendonin për titull deri në fund. Jo Spanja me Realin e Barçën, Gjermania jo e jo me Bajernin, jo Franca me PSG-në dhe jo Italia me Juventusin. Në Premier Ligë pritej që Çelsi, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Arsenali, Totenhemi madje edhe Liverpuli, të luftonin për kurorën.

Ende nuk ka mbërritur Krishtlindja dhe kjo ëndërr ka marrë fund. Mançester Siti është aq shumë i shkëputur sa as Bajerni në Bundesligë nuk do ta kishte imagjinuar deri në mes të dhjetorit. Suksesi 4-1 ndaj Totenhemit nuk ishte aq i lehtë sa e thonë shifrat, por u arrit pikërisht me këto shifra çarmatosëse, dhe Totenhemi ishte shpresa e fundit, pas dorëzimit të Mançester Junajtidit. Në fund të fundit, ishte Totenhemi që e ndaloi vjet Sitin duke e mundur në shtëpi dhe duke mos e lënë të ngrejë më kokë.

Guardiola tashmë vazhdon të shtojë rekordin në Premier me vetëm 2 pikë të humbura në 18 ndeshje (17 fitore, 1 barazim), me 16 fitore radhazi dhe me 56 gola të shënuar, gati 20 gola më shumë se ekipi më i afërt, Junajtid i Murinjos.

Sfidanti.al