Partizani i Starovës pëson turpin e paimagjinuar në Gjirokastër: 5-0!

Askush nuk e kishte menduar ndonjëherë se Luftëtari do të arrinte të mundte Partizanin 5-0. Kjo ndodhi pikërisht në ndeshjen e sotme të Superligës, kur skuadra gjirokastrite arriti një fitore të madhe në fushën e vet. Një e papritur e jashtëzakonshme, aq më tepër kur përballë ishin një ekip i krijuar për titullin kampion, dhe një skuadër që rrezikon të bjerë nga Superliga.

Dejvi Bregu shënoi golin e parë për Luftëtarin, pastaj Abazaj realizoi të dytin, ndërsa pjesa e parë u mbyll 3-0, me golin tjetër me autor Rrocën.

Pas pushimit u prit reagimi i Partizanit, por ndodhi e kundërta dhe vendasit shënuan edhe dy herë të tjera me të njëjtin autor, Lamçen. Kjo ishte humbja e dytë e të kuqve me trajnerin Starova në stol, një humbje që rrezikon shanset për t’u kualifikuar për në Europë sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, është e çuditshme sesi një skuadër që luan një futboll kaq të mirë sa Luftëtari, rrezikon të bjerë nga kategoria.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në drekë, Laçi përballoi sulmet e Flamurtarit dhe fitoi në Vlorë 1-0. U luajt vetëm pjesa e dytë, pasi e para u zhvillua dje dhe pastaj reshjet e shiut e bënë të pamundur vazhdimin.

Pas këtyre dy ndeshjeve, Laçi u ngjit në kuotën e 24 pikëve, një më pak se Flamurtari, Partizani mbeti i gjashti me 21 pikë, ndërsa Luftëtari la pas Vllazninë në vendin e parafundit dhe u ngjit në kuotën e 16 pikëve.

Sfidanti.al