Ulraih, njeriu që po bën të harrohet Nojeri tek Bajerni

Manuel Nojeri është Manuel Nojeri, por edhe Sven Ulraihu është Sven Ulraihu. Kur portieri i Shalkes dhe i Bajernit shkëlqente në Bundesligë dhe në Europë, Ulraih nuk ishte aspak i nënvleftësuar tek Shtutgarti, kur kaloi thuajse gjithë karrierën, adoleshencën, rininë dhe si i rritur. Në 2015, ai pranoi transferimin tek Bajerni, padyshim me shpresë për trofe dhe për të pasur shans për të luajtur, por mundësinë e gjeti vetëm pas dëmtimit të Nojerit, dhe e shfrytëzoi më së miri.

Ai u kthye të shtunën në “Mercedes Benc Arena” të Shtutgartit, në një stadium të mbushur me ish-tifozë të tij, dhe përballë ish-shokëve të tij. Jo vetëm që luajti shumë mirë duke bërë pritje të rëndësishme, por vendosi fatin e ndeshjes në minutat shtesë, duke pritur një penallti, ndërsa bavarezët fituan 1-0.

“Një histori filmi nuk mund të ishte shkruar më mirë, – tha Ulraih pas ndeshjes, – u ndjeva mirë me penalltinë, e dija se mund ta prisja”. Lumturia ishte edhe më e madhe kur tifozët e Bajernit thërrisnin emrin e tij “Ule, Ule” përpara autobusit, dhe jo emrat e yjeve të tjerë më të njohur se ai. Trajneri Hajnkes e vlerëson shumë. “Ai ka fituar respektin e shokëve të ekipit, – u shpreh ai, – ai është bërë edhe më i fortë”. Kontrata e Ulraihut përfundon në 2018, por Hajnkes kërkon që klubi t’i japë një kontratë të re.

Sfidanti.al