Ishte dy hapa larg një mrekullie, por edhe kështu si përfundoi do të mbahet mend gjatë. Ekipi përfaqësues i Kosovës humbi shansin për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian 2021, pasi u mund 1-2 në Shkup nga Maqedonia e Veriut. Një autogol i Kolollit në 16’, rrjeta e barazimit e Florent Hadërgjonajt dhe goditja në shenjë e Velkoskit në 33’ përcaktuan rezultatin që në pjesën e parë. Maqedonia e Veriut do të ndeshet tani në finalen e plej ofit të Ligës së Kombeve me Gjeorgjinë që mundi 1-0 Bjellorusinë në Tbilisi.
Mungesat si ato të Rashicës dhe Muriqit padyshim që i prishën punë ekipit të Bernar Shalandit, që luftoi fort, por pa mundur t’ia arrinte qëllimit. Kosova pati 56 për qind mbajte topi, por më pak gjuajtje, 11-20 drejt portës, 5-10 në portë, ndërsa kornet ishin 6-6. Përballë ishin lojtarë me origjinë shqiptare si Arijan Ademi, kapiteni i Dinamos së Zagrebit, Egzon Bejtullahu, Musliu, Bardhi apo Ezgjan Alioski i Lids Junajtidit. Pra mund të thuhet se ekipi tjetër shqiptar (përveç Shqipërisë) u mund nga një Maqedoni e Veriut gjysmëshqiptare.
Maqedonia e Veriut: Dimitriev, Bejtullai (Ristevski 51’), Velkoski, Musliu, Ristovski (Kostandinov 88’), Nikolov, Ademi (Spirovski 80’), Alioski, Bardhi, Nestorovski (Trajkovski 88’), Pandev (Triçkovski 80’).
Kosova: Muriçi, Vojvoda (Zhegrova 64’), Dresheviç, Aliti, Kololli, Shala (Paçarada), Berisha, Hadërgjonaj, Celina (Kastrati 75’), Zeneli, Nuhiu (Rashani 46’).
Sfidanti.al