Kristian Koleman me siguri nuk do ta lerë botën ta qajë për një kohë të gjatë tërheqjen e Usain Boltit. “Rrufeja” e re e atletikës botëror lëshoi një tjetër “britmë” kur theu rekordin botëror të 60 metrave në Klemson, rekord që mbahej nga miku dhe mësuesi i tij, Moris Grini. Rekordi i Grinit ishte 6 sekonda e 39 të qindat, ndërsa Koleman arriti në 6”37, por deklaratat e tij shkaktuan habi.
“Jam i lumtur për rekordin, – u shpreh ai, – por, ndershmërisht nuk mendova se ishte gara ime më e mirë. Thjesht m’u duk se po i shkundja paksa pluhurin vetes”. E drejtë, pasi ajo në Klemson ishte gara e parë e vitit për rekordmenin e ri.
Grin, tri herë kampion bote në 100 metra dhe dy herë kampion olimpik, e mbajti rekordin e 60 metrave për gati 20 vjet. “Ky rekord do të thotë shumë për mua, – u shpreh Kolemani, – pasi unë e njoh personalisht Moris Grinin dhe ai vetë më kishte thënë se kërkonte që unë t’ia thyeja rekordin”. Koleman ka arritur 9″82 në 100 metra dhe 19″85 në 200 metra. Pas këtij triumfi, 21-vjeçari u kthye sërish në rolin e studentit, pasi po vazhdon shkollën në Universitetin e Tenesit në Noksvil (Knoxville).
Sfidanti.al