Pep, do të biesh më në fund në dashuri me Agueron apo jo?!

Nuk i dihet fatit të jetës as në futboll. Mund të jesh ndër sulmuesit më të shkëlqyer të botës, por sërish jo plotësisht i lumtur, dhe këtë ka provuar këta vite Sergio Aguero. i supertalentuari Kun është vënë gjithnjë në diskutim tek Mançester Siti, me Pep Guardiolën që ka skemat e tij dhe pëlqimet e tij për sulmuesit. Gjithnjë është pyetur nëse Aguero do të qendrojë apo do të largohet, dhe kjo vazhdoi edhe pasi ai theu rekordin e golave për Sitin.

Gjithsesi, sot “kupa është mbushur” dhe Guardiola duhet ta ndajë mendjen. Sulmuesi i tij kryesor ka shënuar 191 gola për Sitin, 14 më shumë sesa ish-rekordi, ndërsa ka 138 vetëm në Premier Ligë. A do të “bjerë më në fund në dashuri” trajneri katalanas me yllin që ka shënuar edhe 36 gola për Argjentinën?

Fakti që nuk u shpenzua për Aleksis Sançezin ishte pikërisht një “deklaratë dashurie” indirekte dhe jo pa arsye, aq më shumë që mosha e të dyve është e njëjtë, 29 vjeç. Agueros i duhen këtë sezon 110 minuta për gol, diçka më shumë se një ndeshje, duke u lënë prapa vetëm nga Harri Kejn (93) e Mohamed Salah (94).

Shpejt, Kun pritet të hyjë ndër 10 shënuesit më të mirë të Premier Ligës që nga krijimi i saj në 1992, dhe nëse vazhdon të luajë edhe disa vjet mund të afrohet me vendet e para. Besohet se argjentinasi mund të arrijë padyshim deri tek Robi Faulëri që ka 163 gola, pra 25 më shumë sesa ai, por ndoshta edhe deri tek Frenk Lampard e Tieri Henri, ndonëse Alan Shirer dhe Uejn Runi duken shumë larg.

Sfidanti.al