Mjaftoi një gol, madje i shënuar jo nga ndonjë nga emrat profilikë të “Anfildit”. Holandezi Georginio Vajnaldum shënoi me kokë që në minutat e para dhe kjo mjaftoi për Liverpulin që të merrte 3 pikët ndaj Mançester Sitit në ndeshjen më të madhe të javës në Premier Ligë. Me fitoren e pestë në 9 takime, Jurgen Klop ka tani epërsinë ndaj Pep Guardiolës, pasi ishin ndarë në barazim në Gjermani, në supersfidën Bajern-Dortmund.
Më i rëndësishëm fakti që Liverpuli nuk iu nda Çelsit, duke ruajtur 6 pikë distancë me kryesuesit, që fituan më herët 4-2 ndaj Stouk Sitit. Vajnaldum vrapoi shpejt dhe shënoi me kokë duke mposhtur Aleksandar Kolarovin dhe portierin Klaudio Bravo, dhe tani të kuqtë kanë 43 pikë ndaj 49 të Çelsit. Ishte kjo mbyllja më e mirë e vitit 2016 për një skuadër që ka kaluar shumë probleme gjatë sezonit të kaluar dhe që ka 26 vjet pa u shpallur kampione e Anglisë.
Nuk ishte një ndeshje e madhe në “Anfild”, dhe Mançester Siti pati shumë më tepër zotërim topi, si dhe sulmoi vazhdimisht, i detyruar edhe nga rezultati, ndërsa Liverpuli vuajti jo pak, edhe pse ia doli të mbrohej fort. Nuk i bëri punë Guardiolës as Kun Aguero që luajti si titullar, ndërsa skuadra e tij mbeti 10 pikë prapa bluve të Kontes.