Ishte një provë e madhe karakteri kjo e Stouk Sitit për Çelsin. Skuadra kryesuese e Premier Ligës ia doli të fitonte në fushën e saj, ndonëse u vu dy herë në provë të rëndë nga miqtë. Me një lojë të fortë dhe pa kompromis, Stouk barazoi rezultatin për 1-1 dhe 2-2, duke iu përgjigjur golave të Kejhillit e Uillianit, me anë të Bruno Martins Indit dhe Piter Krauçit. Gjithsesi, karakteri i Kontes transmetuar lojtarëve të tij ishte tepër i fortë për t’u dorëzuar në minutën e 64-ët kur erdhi barazimi i dytë. Uillian u përgjigj vetëm një minutë pas golit të Krauçit, ndërsa i përhershmi Diego Kosta u kthye me rrjetë pas pezullimit të një ndeshjeje më parë. Çelsi ka tani 49 pikë, dhe 13 fitore radhazi, vetëm 1 më pak sesa rekordi i Arsenalit të Vengerit dhe “të pathyeshmëve” në 2003-2004.
Karakter “me shumicë” edhe për Zhoze Murinjon dhe Mançester Junajtidit. “Djajtë e kuq” u duk se morën fund kur Grant Ledbajter shënoi në minutën e 67-të në “Old Traford” për avantazhin e Midëllsbrout. Ofensiva nuk vonoi, por golat erdhën në fund. Në minutat 85 e 86, shënuan sulmuesi “i deklasuar” Antoni Marsial dhe mesfushori Pol Pogba, që të dy francezë. Junajtid ka tani 36-të pikë, duke mbetur në vend të gjashtë me po aq pikë sa Totenhemi që nuk ka luajtur ende.
Fitore edhe për kampionen Leiçester, 1-0 ndaj Uest Hemit me golin e Islam Slimanit, si dhe suksese për Bërnlin ndaj Sandërlendit (4-1), Bornemuthit (3-0) në fushën e Suonsit dhe për Uest Bromit në Sauthempton (2-1).