Antonio Konte nuk është një trajner si të gjithë të tjerët dhe këtë nuk e tregon vetëm temperamenti i tij shpërthyes që e ka bërë të njohur kudo. Tekniku italian, qëkur ka marrë drejtimin e Çelsit, nuk ka ngurruar që të ndjekë hap pas hapi skuadrën në seancat stërvitore, duke u stërvitur përkrah lojtarëve.
Meqë këta të fundit i kanë cilësuar si shumë të lodhshme përgatitjet nën trajnerin italian, ky i fundit u ka treguar shpesh atyre se ndonëse 47-vjeç, mund t’i përballojë këto seanca stërvitore. Plani po funksiononte në perfeksion… deri për Krishtlindje.
Në një nga seancat e fundit stërvitore, ndërsa Konte po vraponte bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, ai ka pësuar një dëmtim muskulor në pulpë. Raportohet se trajneri nuk ka asgjë serioze, thjesht për pak pushim, por për momentin ka ndërprerë stërvitjet me ekipin.