Kampioni Guardiola: Nuk mund ta zëvendësojmë Agueron!

Duket sikur deshën që ta mbanin dhe argjentinasi e kishte ndarë mendjen për t’u larguar. E vërteta është paksa më ndryshe, ndërsa Pep Guardiola i thur lavde dhe i ngre “monument” Kun Agueros që luajti ndeshjen e fundit në Premier Ligë dhe në truallin anglez si lojtar i Mançester Sitit. Ndërsa ngriti trofeun e titullit kampion, trajneri katalanas theksoi se “ne e duam shumë Sergion, ai është tepër i veçantë për ne, është e pamundur që ta zëvendësojmë”. Gjithsesi, edhe pse i pazëvendësueshëm, për Agueron klubi (së pari Guardiola) mendon se ai duhet të largohet dhe do ta vazhdojë karrierën tek Barcelona.

Duke folur për titullin, Pepi tha se fitorja në fushën e Çelsit i ndihmoi për besimin, ndërsa “nga dhjetori deri në mars ne i fituam që të gjitha ndeshjet dhe kjo na ndihmoi”. Katalanasi nuk sqaroi gjë për kontratën e tij të ardhshme, vetëm u mjaftua të thoshte se “lojtarët e dinë se në këtë klub ka vazhdimësi, qendrueshmëri, edhe vjet ata e dinin se trajneri nuk do të largohej”. Përsa i përket finales së Championsit, Guardiola shpreson që “të bëjmë realitet ëndrrën, është finalja jonë e parë dhe do të japim gjithçka”.

Sfidanti.al