Në verë dërgoi si “pako” dy sulmues në Itali, Aleksis Sançezin dhe Romelu Lukakun, ndërsa tani kupton se i mungojnë forcat ofensive. Trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, dëshiron të “plaçkisë” pikërisht tek ajo skuadër ku dërgoi sulmuesit në verë, tek Interi i Milanos, dhe ia ka vënë syrin një “plaçke” tepër të kërkuar, sulmuesit Lautaro Martinez.
Argjentinasi ka krijuar dyshen sulmuese të trajnerit Konte, bashkë me Lukakun, dhe ajo tani quhet “Lu-La” nga tifozët dhe mediat. Sa shanse ka Solskjer që t’i marrë Lautaron, Kontes? Le ta themi që në fillim, se i ka minimale! Jo vetëm sepse argjentinasi i ri ndihet mirë tek Interi dhe me një trajner që i jep besim, por edhe sepse projekti italian duket më përpara sesa ai në “Old Traford”, dhe në Itali po lufton për titullin kampion, ndërsa në Europë ndodhet në Champions.
Për më tepër, çmimi i kartonit pritet të jetë nja 110 milionë euro, diçka që ndoshta nuk është pengesë e madhe për Junajtidin, por që gjithsesi nuk është faktor pa peshë. Lautaron e kërkon edhe Barcelona, dhe besohet se tërheqja nga “Kamp Nou” është më e madhe sesa ajo nga “Old Trafordi”.
Sfidanti.al