Shpresa ishte për ta marrë më lirë, por duket se po ndodh e kundërta. Mançester Junajtidi kërkon plot 200 milionë euro për Pol Pogbanë, që do të thotë një rritje e mëtejshme nga shifra e menduar më parë. Në Premier Ligë nuk ka klauzola transferimi në kontrata, por gjithnjë mendohej se në “Old Traford” do të kërkonin deri në 170 milionë euro për kampionin e botës.
Synimi ishte për ta mbajtur në skuadër, madje trajneri Solskjer i ofron edhe shiritin e kapitenit. Duket se mesfushori cilësohet si tepër i rëndësishëm për Junajtidin, ndërsa Solskjer vazhdon rindërtimin e skuadrës, në mënyrë që të mos përsëritet sezoni i kaluar, tërësisht i dështuar.
Pogba është i kërkuar fuqimisht nga presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, në bazë edhe të dëshirës së trajnerit Zidan, veçse edhe për klubin më të madh të botës, 200 milionë euro janë shumë, sidomos në këtë moment. Juventusi po ashtu e synon, diçka për të cilën trajneri Sarri ka diskutuar me drejtuesit e lartë.
Vetë agjenti i Pogbasë, Mino Raiola, i shtoi dyshimet duke folur në Torino. “Poli është sot për sot në Mançester, – u shpreh Raiola, – nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, nëse do të vazhdojë aty, do të shkojë tek Reali apo tek Juventusi. Unë jetën time e marr ditë pas dite”.
Pogba cilësohet si lojtari më i mirë në botë në pozicionin e tij, edhe pse tek Mançester Junajtidi ka pasur shumë kritika dy sezonet e fundit.
Sfidanti.al