Partizan i ke shpresat, por tradita në Champions nuk flet për ty!

Përfundimi në “Selman Stërmasi” na la me shpresë. Barazimi pa gola besohet se i la mundësi Partizanit që të synojë kualifikimin në Champions, dhe ja ku vjen sot dita e së vërtetës, ajo e ndeshjes së dytë të turit të parë, në fushën e Karabakut. Edhe udhëtimi i skuadrës shqiptare drejt Azerbajxhanit sikur e konfirmoi moralin e lartë të saj. Nuk mund të konsiderohet thjesht zgjedhja e një avioni çarter shumë të mirë, pasi kjo duhet nënkuptuar, por fytyrat e lojtarëve dhe të stafit të trajnerit Lerda flasin vetë.

Gjithsesi, çdo prag ndeshje është pozitive, pasi askush nuk e mendon humbjen, veçse realiteti nuk është edhe aq i këndshëm. Në 57 vjet pjesëmarrje në kupat e Europës, Partizani nuk ka fituar kurrë jashtë fushe. Janë 28 ndeshje, në të cilat janë arritur vetëm tre barazime, me pjesën tjetër humbje. Pak rëndësi ka epoka, dhe nëse është luajtur ndaj Benfikës, Torinos e Sëlltikut, apo kundër Mariborit, Shiroki Brijegut apo Ferencvaroshit.

Gjithsesi, të kuqve u mjafton edhe barazimi 0-0 për ta çuar sfidën tek penalltitë, si dhe një barazim me gola për t’u kualifikuar. Këtë kishte parasysh presidenti Gazmend Demi në përfundim të duelit të parë, kur i tha gazetarëve “a e mbani mend Ferencvaroshin”. Përsa i përket formacionit dhe taktikave, pritet që trajneri Lerda të hedhë në fushë të njëjtën skuadër si në “Selman Stërmasi”. Seancat stërvitore mesa kuptohet e kanë bindur se nuk ia vlen të ketë ndryshime, dhe në portë do të jetë Hoxha, në mbrojtje Ibrahimi, Bitri, Belica e Hakaj, në mesfushë Mala, Telushi e Melo, dhe në sulm Asani, Çinari e Mensah.

Parashikimet nuk janë të favorshme për shqiptarët, pasi azerët jepen favoritë me diferencë për fitore dhe kualifikim. Karabaku, gjithashtu bëri përgatitjet e fundit, dhe trajneri Gurbanov mund të jetë i qetë sepse ka në dispozicion të gjithë lojtarët, që i kishte edhe në Tiranë. Kampionia e Azerbajxhanit ka besim tek fitorja, ndërsa do të synojë që ndeshja të mos shkojë tek penalltitë.

Sfidanti.al