Inzagi: Realizuam një ëndërr, nuk na fali kush asgjë!

Festa ishte e ligjshme dhe pritej prej kohësh. Futbollistët e Interit, stafi teknik dhe tifozët ishin padyshim në kulmin e lumturisë në përfundim të derbit të dytë gjysmëfinal në Champions. Fitorja 1-0 ndaj Milanit do të thotë arritje e finales për herë të parë pas 13 viteve, diçka që kishte ndodhur me Zhoze Murinjon në stol. Sot, trajner është Simone Inzagi që u kritikua shumë deri një muaj më parë, por gjeti forca të përgjigjej. Goli i Lautaro Martinezit siguroi suksesin në “San Siro”, si dhe kualifikimin me shifrat e përgjithshme 3-0. Inzagi shprehet i lumtur, ndonëse nuk dihet nëse do ta fitojë Championsin, siç bëri Murinjo.

“Është qartësisht një emocion i madh, – shprehet Inzagi, – Ishte një ëndërr që e kishim bashmë me djemtë, ëndërr që e kemi pasur që kur u hodh shorti. Duhej të besonim, por gjithçka e arritëm me meritë, sepse askush nuk na ka dhuruar gjë. Ishte një rrugë e gjatë, kemi kaluar shumë vështirësi. Ia dolëm mbanë. Që nga nesër do të nisim të kuptojmë atë që kemi bërë. Një mbrëmje e madhe me tifozët, me lojtarët dhe familjet. Nuk mund të kërkonim më shumë”.

Sfidanti.al